Në takimin e organizuar nga Ambasada norvegjeze në Moskë, për nder të Çmimit Nobel për Paqe, gazetari dhe nobelisti rus Dimitry Muratov ka folur për vështirësinë në rritje të të qenit gazetar nën presidencën e Vladimir Putinit.
Mutatov është shprehur se, situata në Rusi është toksike dhe se propaganda e ka bindur popullin se demokracia është e dëmshme.
“Situata është jashtëzakonisht e vështirë. Është toksike. Fatkeqësisht, shumë gazetarë janë detyruar të largohen nga Rusia. Ata kanë frikë se do të gjykohen dhe burgosen”, deklaroi Muratov, i cili njëherësh është redaktor i gazetës Novaya Gazeta.
Gazetari rus është shumë i vetëdijshëm për rolin që luan media në formësimin e narrativës politike në Rusi, ku sipas tij, fjala demokraci është kthyer në një fyerje në politikën ruse.
“Propaganda ka bindur shumicën e popullit rus se demokracia është e dëmshme dhe se ajo çon në kolaps. Kjo është arsyeja pse shumica e njerëzve kanë filluar të pëlqejnë një sundim të tillë në diktaturë”, ka përfunduar ai.
Ballinat e Novaya Gazeta janë zbukuruar me fotografitë e gjashtë gazetarëve të saj, të cilët u vranë ndërsa punonin për të. Gazeta tha se ishte një mesazh solidariteti për të gjithë ata që rrezikojnë jetën e tyre në ndjekjen e lirisë së shprehjes. /Telegrafi/