Me hedhjen e mjeteve piroteknike para hotelit “Sirius” në Prishtinë, Partia Soacialdemokrate (PSD) ka kundërshtuar vizitën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Gjatë protestës aktivistët e PSD-së hodhën mjete piroteknike në hotelit ku kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, mbajti takim me përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Ndërsa policia për të shpërndarë protestuesit dhe për të ndaluar hedhjen e mjeteve piroteknike, hodhën gaz-lotsjellës si dhe sprej në drejtim të protestuesve, por edhe gazetarëve, fotoreporterëve e kameramanëve, të cilët ishin një numër i madh.
Menjëherë pas protestës, policia arrestoi gjashtë aktivistë të PSD-së, me në krye kryetarin e saj Dardan Molliqaj, Nol Nushin, Zgjim Hysenin, Korab Korçën, Agron Kabashin dhe Gent Ibrahimin.
Gjithashtu, gjatë protestës aktivistët e PSD-së mbanin në duar pankartat: “Poshtë Gjykata Speciale”, “UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, “UÇK është përpjekja për liri”, etj.
Pas përfundimit të protestës së PSD-së kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, policia nisi me mbledhjen e dëshmive për protestën që eskaloi, e ku u përdor gaz lotësjellës dhe mjete piroteknike.
PSD pas kësaj ka dal me një reagim duke kërkuar që aktivistët të lirohen urgjentisht, pasi sipas tyre “kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale”.
“Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezistenca vazhdon. Trendafilova nuk është e mirëseardhur. Policia mund ta garantojë sigurinë fizike, por jo imazhin e një kryesuese të një procesi të padrejtë”, thuhet në reagimin. /Telegrafi/