Site icon Telegrafi

Gashi: LVV-ja tenton ta bëjë vetë qeverinë – nëse e bën me Listën Serbe, është vetëvrasje

Juristi Tomë Gashi ka komentuar mundësinë e formimit të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka theksuar LVV-ja po përpiqet të formojë një qeveri me partitë minoritare, por këto të fundit nuk janë të interesuara për koalicion dhe sipas tij, vetëm po e ngritin pazarin.

Gashi ka potencuar se nëse LVV-ja dështon në përpjekjen e saj, pas kësaj do të mund të ofrojë bashkëpunim me partitë opozitare, të cilat, sipas tij, janë të gatshme të pranojnë çdo mundësi bashkëpunimi.

“VV-ja tenton ta bëj vetë qeverinë me këto partitë minoritare, pa Listën Serbe, sepse ta bëj me Listën Serbe është vetëvrasje dhe LVV-ja kurrë s’e bën këtë…LVV-ja ka me tentu me formu qeverinë vetë, nëse dështon kjo, herën tjetër nëse i ofrohet secilësdo parti secili prej këtyre partive të opozitës, krejt këta shefat e partive opozitare mezi presin”, ka theksuar Gashi në Debat Plus.

Ndërkaq, analisti politik, Viktor Buzhala ka deklaruar se koalicioni më i qëndrueshëm dhe afatgjatë është ai ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Koalicioni më i shëndoshi më afatgjati, më stabil është LVV – PDK, pasi kjo e siguron edhe zgjedhjen e presidentit pa votat e Listës Serbe, aty edhe Vlora Çitaku e tha me gjysmë zëri se nuk bëjnë koalicion më VV, mandej i kanë zbutur situatat. Unë e shoh PDK-në gjithqysh në qeveri, dhe gjasat reale janë që PDK-ja do të hyjë në koalicion me LVV-në”, ka deklaruar Buzhala.

Ndërkaq, analisti politik, Ylli Hoxha, ka deklaruar se një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është opsioni i fundit dhe pothuajse i pamundur, për shkak të rivalitetit të madh mes dy partive.

Hoxha, ka parashikuar se një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës mund të bëhet opsioni bazë për krijimin e qeverisë, duke theksuar se presioni ndërkombëtar do të jetë për këtë.

Exit mobile version