Federata e Volejbollit të Kosovës ka dënuar ashpër incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes finale të Kupës së FVK-së, e cila u zhvillua me 1 Dhjetor 2024, mes Klubit të Volejbollit Ferizaj dhe Klubit të Volejbollit Peja.
Ferizaj triumfoi ndaj Pejës, derisa pas ndeshjes volejbollistët pejanë u ofenduan dhe u gjuajtën me gjësende të forta nga tifozët vendas.
Tanimë ka ardhur reagimi i FVK-së që ka dënuar ashpër atë që ndodhi në këtë sfidë.
Reagimi i plotë nga FVK:
REAGIM!
Federata e Volejbollit të Kosovës – FVK dënon ashpër incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes finale të Kupës së FVK-së, e cila u zhvillua me 1 Dhjetor 2024, mes Klubit të Volejbollit Ferizaj dhe Klubit të Volejbollit Peja.
Volejbolli nuk njihet si sport i dhunshëm, por përkundrazi, njihet si një lojë që promovon bashkëpunimin, respektin dhe garën e ndershme. Pikërisht për këtë arsye, ngjarje të tilla, që përfshijnë dhunë ose tensione, janë të papranueshme dhe bien në kundërshtim me rregullat, frymën dhe vlerat që ky sport synon të përcjellë.
FVK në bashkëpunim me të gjitha institucionet dhe instancat përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që të gjithë akterët e përfshirë në ngjarje të tilla të japin llogari për veprimet e tyre.
Ky angazhim reflekton përkushtimin e FVK-së për të ruajtur integritetin dhe vlerat e sportit, duke u siguruar që sjelljet e papranueshme të mos tolerohen.
Ky qëndrim i vendosur synon të dërgojë një mesazh të qartë se volejbolli dhe sporti në përgjithësi duhet të mbeten hapësira të respektit, fair-play-it dhe pasionit, duke larguar çdo formë sjelljeje që dëmton këto parime.