Sindikatat franceze kanë planifikuar mbajtjen e grevave dhe protestave për të kundërshtuar planin e presidentit Emmanuel Macron për të shtyrë moshën e pensionimit.
Projektligji parasheh që mosha zyrtare kur njerëzit mund të ndalen së punuari të rritet nga 62 sa është aktualisht në 64 vjeç.
Protestat pritet të mbahen në Paris dhe qytetet tjera.
Sipas propozimeve të prezantuara më herët gjatë këtij muaji nga kryeministrja franceze Elisabeth Borne, nga viti 2027 njerëzit do të duhet të punojnë 43 vjet për t’u kualifikuar për pension të plotë, në krahasim me 42 vjet sa është tani.
Sondazhet publike kanë treguar se 68 për qind e popullsisë e kundërshton këtë propozim.
Në krahasim me 50 vjet më parë, kur kanë ekzistuar katër punëtorë për një të pensionuar, raporti ka rënë në 1.7 për një të pensionuar dhe pritet që shifrat të lëvizin edhe më shumë në vitet në vijim.
Italia dhe Gjermania e kanë rritur moshën e pensionimit në 67 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar 66, ndërsa në Spanjë është 65 vjeç. /Telegrafi/