Autoritetet franceze kanë nxjerrë në shitje një vilë luksoze shumë milionëshe të sekuestruar të oligarkut rus, Boris Berezovsky, i cili vdiq në vitin 2013 dhe ishte kundërshtar i betuar i presidentit, Vladimir Putin.
Berezovsky bleu Chateau de la Garoupe në Cote d’Azur në vitet 1990 ndërsa presidenti i parë i Rusisë post-sovjetike, Boris Yeltsin, ishte në pushtet dhe manjati konsiderohej një nga njerëzit më të fuqishëm në vend.
Por, ajo u konfiskua nga autoritetet franceze në vitin 2015, dy vjet pasi Berezovsky u gjet i vdekur në Angli në rrethana që nuk janë shpjeguar kurrë plotësisht. Atëbotë ishte kundërshtar i ashpër i Putinit, raporton theguardian.
Prona u ndërtua në Cap d’Antibes prestigjioze nga industrialisti dhe deputeti britanik, Charles McLaren, ndërsa aty më parë kishin jetuar edhe Pablo Picasso, Cole Porter dhe Ernest Hemingway.
Cote d’Azur ka qenë i populluar me rusët e pasur të kohës së Rusisë cariste. Pas rënies së BRSS, ajo u bë një shesh lojërash i preferuar për oligarkët e vendit.
Pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet nga perëndimi e kanë bërë posedimin e pronave dhe madje edhe hyrjen në Francë gjithnjë e më problematike për shumë rusë. /Telegrafi/