Martin Odegaard dhe Mohamed Salah janë mungesat e papritura nga skuadra e sezonit në Ligën Premier, bazuar në statistika, dhe vetëm tre lojtarë të Manchester Cityt kanë përfunduar si pjesë e 11-shes së sezonit.
Java e fundit e sezonit të ligës është afër dhe në këtë kohë javën e ardhshme do të dimë se cilat skuadra janë në cilat gara evropiane dhe kush bie nga kategoria.
Manchester United mund të arrijë të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve të enjten kundër Chelseat, por ka ende skuadra për t’u vendosur në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.
Everton, Leicester City dhe Leeds United do të përpiqen të qëndrojnë në ligë, ndërsa Southampton tashmë veçse ka rënë në Championship.
Me afrimin e përfundimit të sezonit kanë filluar edhe publikimet e formacioneve më të mira të vitit në Ligën Premier, ku ndër ta ishin edhe dy legjendat, Gary Neville dhe Jamie Carragher.
Megjithatë, tani është publikuar një formacion i ri nga WhoScored.com, i tëri i bazuar në statistika të secilës ndeshje.
Vetëm Kevin De Bruyne, Jack Grealish dhe Erling Haaland kanë arritur të përfshihen në formacion nga kampionët e Ligës Premier, gjë që duket e habitshme.
Fakti që Arsenali përfaqësohet vetëm nga Bukayo Saka mund të habisë njerëzit duke pasur parasysh se skuadra e Mikel Artetës luftoi deri në fund me Cityn dhe Martin Odegaard pati një sezon brilant.
Bruno Fernandes dhe Luke Shaw janë të përfshirë për Manchester United, së bashku me mbrojtësit e Newcastle United, Kieran Trippier dhe Fabian Schar.
Harry Kane i Tottenham Hotspur është gjithashtu i përfshirë në formacion, ndërsa përfshirjet më befasuese janë dyshja e Brentfordit, David Raya dhe Ethan Pinnock, veçanërisht pasi shtatë skuadra kanë një rekord më të mirë në mbrojtje se ekipi i Thomas Frank. /Telegrafi/