Site icon Telegrafi

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Çekisë – Sylvinho me tri ndryshime

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho do t’i bëjë disa ndryshime në formacion e Kuqezinjve ndaj Çekisë, për dallim nga ndeshja e fundit ndaj Polonisë.

Kuqezinjtë luajnë sot ‘finalen’ e madhe ndaj Çekisë në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024, të vlefshme për Grupin E, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” me fillim nga ora 20:45.

Trajneri brazilian, Sylvinho ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje të madhe dhe tashmë e ka të qartë idenë se si do të luajë.

Lexo po ashtu Shqipëria luan sot ‘finalen’ e madhe ndaj Çekisë

Telegrafi mëson se Sylvinho do t’i mbetet besnik skemës së tij të preferuar “4-3-3”, e cila mund të transformohet në një rreshtim “4-2-3-1”.

Megjithatë, ai do t’i bëjë tri ndryshime nga ndeshja e fundit kualifikuese me Poloninë. Taulant Seferi do të rikthehet në vend të Myrto Uzunit dhe Etrit Berisha do ta zëvendësoj Thomas Strakoshën.

Detyra më e vështirë e trajneri brazilian është ta zëvendësoj Ardian Ismajlin e lënduar, por si duket ka bërë zgjedhje duke vendosur për Arlind Ajetin.

Pjesa tjetër e mbrojtjes do të mbetet e pandryshuar me Elseid Hysaj në të djathtë, Berat Gjimshiti në qendër dhe Mario Mitaj në të majtë.

Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani do të jenë dyshja e mesfushës qendrore, të ndihmuar nga Nedim Bajrami, i cili do ta bëjë mesfushorin e tretë dhe ‘trekuartistin’.

Në sulm, përveç Seferit, do të luajnë edhe dy të përhershmit, Jasir Asani nga e djathta dhe Sokol Cikalleshi në qendër.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Shqipëria (4-2-3-1): Berisha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani; Asani, Bajrami, Seferi; Cikalleshi;

/Telegrafi/

Exit mobile version