Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda pritet të mos bëjë shumë ndryshime dhe t’ju besojë senatorëve apo ‘veteranëve’ të ekipit për ndeshjen e sotme (e premte) ndaj Rumanisë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kosova e nis sot edicionin 2024/25 në Ligën e Kombeve, ku e pret Rumaninë në ndeshjen e parë të Grupit 2 të Ligës C, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.
Për këtë ndeshje derbi të grupit, ekipi kombëtar ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe është gati dhe pa mungesa për të marrë fitoren para tifozëve vendas.
Përzgjedhësi Franco Foda ka punuar shumë gjatë grumbullimit disa ditor në aspektin taktik dhe tranzicionin e ekipit, teksa tashmë ka bërë zgjedhjet për formacionin anti-Rumani.
Telegrafi mëson se 58-vjeçari gjerman do t’i besojë senatorëve të ekipit në një formacion me rreshtim 4-2-3-1.
Në portë, Foda do t’ia besoj fanellën e titullarit të përhershmit Arijanet Muric, ndërsa mbrojtja do të formohet me Mërgim Vojvodën dhe Leart Paqaradën nga krahët dhe Amir Rrahmani dhe Fidan Aliti në qendër.
Qendra e mesfushës do t’i besohet të ardhurit të fundit Elvis Rexhbeçaj, i cili pritet të debutoj me Dardanët duke luajtur përkrah Valon Berishës që duket se ka fituar balotazhin me Lindon Emerllahun.
Treshja pas sulmuesit qendror Vedat Muriqi, pritet të formohet nga Edon Zhegrova dhe Milot Rashica nga krahët dhe Florent Muslija që do ta bëjë rolin e 10-shit.
Formacioni i mundshëm i Kosovës
/Telegrafi/