Na ndiqni në dy llogaritë tona në Twitter, Telegrafi.com dhe Telegrafi Sport.
Ka përfunduar xhiro e tetë në elitën e futbollit kosovar BKT Superligë.
Kryendeshja e kësaj jave është zhvilluar në qytetin e Gjilanit, ku Drita dhe Prishtina luajtën baras 0-0.
Ballkani është rikthyer në vendin e parë pas një fitore spektakolare 3-2 ndaj Drenicës me rikthim. Llapi ka marrë fitoren e parë në kampionat pas triumfit 1-0 ndaj Dukagjinit, teksa me të njëjtin rezultat ka triumfuar edhe Feronikeli përballë Ulpianës.
Takim shumë interesant u zhvillua edhe në Malishevë, ku Malisheva dhe Gjilani luajtën baras 1-1.
Si gjithnjë redaksia e sportit në portalin Telegrafi.com zgjedh më të mirët e javës në BKT Superligë.
Portieri:
Ardit Nika ka qenë fantastik në derbin ndaj Dritës. Edhe pse u luajt një ndeshje e zbehtë, Nika bëri tri pritje vendimtare duke shpëtuar Prishtinën nga humbja.
Mbrojtja:
Armend Thaqi ishte më i miri i javës i zgjedhur zyrtarisht nga FFK. Mbrojtësi anësor i Ballkanit shkëlqeu ndaj Drenicës, ku përveç lojës së mirë arriti të shënonte edhe një gol.
Në qendër vjen Bujar Idrizi i Llapit së bashku me Azem Bejtën e Feronikelit. Dy mbrojtësit ishin më të dalluarit në skuadrat e tyre që morën nga tri pikë si vendas. Përveç lojës së mirë defensive nga dy lojtarët, Idrizi i Llapit asistoi edhe tek goli i fitores.
Edhe krahu i majtë i mbrojtjes është i rezervuar për një futbollist të Ballkanit dhe një tjetër me mbiemrin Thaqi. Përveç Armendit, edhe Astrit Thaqi zhvilloi një ndeshje të madhe ku realizoi edhe gol në fitoren 3-2 ndaj Drenicës.
Mesfusha:
Rron Broja ka qenë futbollisti më i mirë në fushë në duelin Drita – Prishtina. Mesfushori mitrovicas dominoi në mesfushë, derisa vlen të përmendet edhe rasti kur shpëtoi një gol, duke larguar topin e rikthyer nga Leotrim Kryeziu.
Drilon Leku u përkujdes për tri pikët e reja të Feronikelit. Mesfushori i talentuar shënoi golin e vetëm ndaj Ulpianës dhe përveç golit bëri edhe ndeshje shumë të mirë.
Gol vendimtar këtë javë shënoi edhe mesfushori meksikan i Llapit, Franco Rivera. 27-vjeçari është bërë pikë referimi i Llapit këtë edicion, pasi vazhdimisht shënon ose asiston.
Sulmuesit:
Yoan Marc Olivier çdo javë po tregon cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Anësori i Malishevës ishte më i miri në fushë edhe në duelin me Gjilanin, ku realizoi golin e vetëm të Malishevës.
Skuadra e tij humbi 3-2, por Kreshnik Uka ishte futbollisti më i mirë në fushë. Sulmuesi drenicas shënoi dy gola, ku i pari ishte i jashtëzakonshëm nga distanca.
Në krahun e majtë të sulmit ndodhet braziliani i Gjilanit, Elton Cale. 33-vjeçari që dy ndeshje radhazi po fiton penallti dhe po rikthen formën e tij të vjetër. Braziliani përveç lojës së mirë po tregohet edhe vendimtar për Gjilanin.
Trajneri i javës:
Bekim Isufi merr epitetin e trajnerit të javës së tetë në Superligë. Edhe pse skuadra e tij ishte duke humbur 0-2, Isufi falë taktikës së tij dhe zëvendësimeve që hodhi në fushë arriti të rikthejë gjithçka në favor dhe ta marrë një fitore të madhe. /Telegrafi/