Zëdhënësi i ri i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, duke folur në Zona B të Klan Kosovës për detyrën e tij të re, ka thënë se ai do të angazhohet shumë që punët e Qeverisë t’i transmetojë tek qytetarët e vendit në mënyrë sa më të drejtë.
Do të punojë që të transmetohet si duhet puna e Qeverisë tek qytetarët”, sepse “kjo punë herë deformohet në rrugë e sipër, herë deformohet nga gazetarët”, ka thënë Abdullahu.
“Unë konsideroj që ka një dinamikë të madhe të punës, është një dinamikë që mezi po e përcjellë me këtë kondicion timin. Është një zhvillim pozitiv, madje njerëzit po e interpretojnë në mënyra ta ndryshme këto vizita të kryeministrit nëpër komuna”, tha ai.
Abdullahu tha se mbetet të shihet nëse zgjedhja e tij në këtë pozicion është vendimi i duhur dhe nëse veç del të jetë atëherë “është meritë e punëdhënësit në rastin konkret, prirja për të parë se kush është i përshtatshëm për këtë pozitë”.
Të jesh shqiptar i mirë nuk do të thotë të mos jesh pro Kosovarizimit, madje është e kundërta, ka thënë zëdhënësi i ri i Qeverisë së Kosovës, kur është pyetur për bindjet e tij të kamotshme për Bashkim Kombëtar.
“Shqiptarizmi dhe Kosovarizmi nuk bien ndesh njëra me tjetrën, s’mund të jesh shqiptar i mirë nëse e përjashton Kosovarizmin”, ka thënë Abdullahu.
Ai pohoi se tashmë ka ndryshuar edhe konteksti për idenë e Bashkimit Kombëtar.
Tashmë jemi të lirë dhe ka ndryshuar edhe konteksti tha Abdullahu, kurse kohë më parë ishte ndryshe.
“Të jesh për bashkim kombëtar është nënkuptuar të jesh i çliruar dhe të jesh kundër sistemit të Serbisë, tani që jemi çliruar ka ndryshuar konteksti”.
Ai ka folur edhe për atë që quhet filozofi Rugoviane, e cila, sipas Abdullahut, është e domosdoshme të ndiqet.
“Rugovizmi u duhet shqiptarëve si brumë filozofik dhe politik për vazhdimësi”, tha ai.
Abdullahu ka diskutuar edhe rreth mundësisë për t’u bërë anëtar i LDK-së.
Ai ka shtuar se prioritet e ka punën aktuale, por për një gjë të tillë duhet të vlerësohet nga të tjerët.
“Tash për tash do i mbetem besnik Qeverisë së Kosovës ,punës që e bëj. Do mundohem ta bëjë këtë punë mirë dhe mbetet të tjerët ta vlerësojnë se a mund të jem unë për një vend të caktuar në atë parti apo jo? Mbetet të shihet nuk mund ta them troç po apo jo se a do të anëtarësohem në LDK”
Gjithashtu Abdullahu ka përmendur ca atribute të mirë për shefin e tij, që sipas tij janë shumë të rëndësishme.
“Mua si këshilltar më pëlqen prirja e tij për të dëgjuar mirë kur flet kur e këshillon. Ai ka edhe një përvojë dhe prirje për ta lexuar problemin qe e prezanton dhe dinë ta ofrojë ndihmën aty ku duhet,” ka përfunduar Abdullahu, njofton Klan Kosova.