Site icon Telegrafi

Fituesja e çmimit Nobel i quan Mark Zuckerbergun dhe Elon Muskun “diktatorë”

Gazetarja Maria Ressa u ka dhënë epitete “interesante” Mark Zuckerberg dhe Elon Musk në një fjalim në festivalin letrar Hay në Powys, shkruan The Guardian.

“Vëllezërit e teknologjisë si Mark Zuckerberg dhe Elon Musk janë diktatorët më të mëdhenj”, ka thënë Maria Ressa, e cila fitoi çmimin Nobel për paqe në vitin 2021 për mbrojtjen e lirisë së medias, transmeton Telegrafi.

Gazetarja amerikano-filipinase ka kaluar disa vite duke luftuar akuzat e ngritura gjatë administratës së atëhershme të presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, por tha se Duterte “është një diktator shumë më i vogël në krahasim me Mark Zuckerberg dhe Elon Musk”.

Duke folur në festivalin letrar Hay në Powys, Ressa tha se Zuckerberg dhe Musk kanë “dëshmuar se ne të gjithë, pavarësisht nga kultura, gjuha apo gjeografia, kemi shumë më tepër të përbashkëta se sa dallime, sepse ne të gjithë po manipulohemi në të njëjtën mënyrë”.

Platformat e mediave sociale kanë aftësinë të “ndryshojnë mënyrën se si ndihemi”, tha ajo, e cila nga ana tjetër “ndryshon mënyrën se si e shohim botën dhe ndryshon mënyrën se si veprojmë”.

Ressa tha se bisedat rreth politikave të identitetit në internet kanë shkaktuar raste të ngjashme të polarizimit në të gjithë botën. Këto debate inkurajojnë “llojet e pyetjeve që ne mendojmë se janë vullneti ynë i lirë – por nuk janë”, tha Ressa. /Telegrafi/

 

Exit mobile version