Site icon Telegrafi

Festim Alidema debuton në elitën e futbollit kroat

Ka ardhur momenti i shumëpritur për Festim Alidemën.

Futbollisti i talentuar nga Kosova gjatë afatit kalimtar të verës e kompletoi transferimin në Slaven Belupo, skuadër që militon në elitën e futbollit kroat.

E pas gjashtë ndeshjeve pritje, Alidema ka debutuar për ekipin e parë të Slaven Belupos.

Skuadra e kosovarit luajti para adhuruesve të vet përballë Varazdin ku u ndal në barazim 1-1, ndërsa golin e vetëm për vendasit e shënoi shqiptari Muzafer Ejupi.

Debutimi për Alidemën ka ardhur në minutën e 85-të të ndeshjes, kur sulmuesi nga Vitia zëvendësoi Bogojevicin.

Vetëm një minutë më vonë ai pati një gjuajtje të mirë, por portieri mysafir intervenoi duke ia mohuar golin.

21-vjeçari e ka nisur për mrekulli aventurën në Kroaci, pasi luajti fillimisht disa ndeshje me ekipin e dytë ku ka impresionuar kroatët me golat e shënuar.

Ndeshjen e radhës Slaven Belupo e luan në udhëtim te Lokomotiva e Zagrebit dhe pritet që Alidema të ketë më shumë minuta në dispozicion. /Telegrafi/

Exit mobile version