Rreth dy miliardë myslimanë anembanë botës festuan Kurban Bajramin, një nga festat më të mëdha të kalendarit islamik që përkon me ritet e fundit të pelegrinazhit vjetor të Haxhit.
Në disa vende, përfshirë Afganistanin, Iranin dhe shtetet e Azisë Qendrore, Kurban Bajrami u festua më 9 korrik. Por në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë Pakistanin dhe Indonezinë, shtetin më të madh mysliman në botë, kjo festë u shënua më 10 korrik.
Shumë myslimanë festojnë festën katërditore duke therur bagëtinë [kurbanin] dhe duke e shpërndarë mishin mes të afërmve, fqinjëve dhe të varfërve.
Por, derisa lufta e Rusisë në Ukrainë i ka bërë çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën, shumë njerëz thanë se nuk mund të përballonin therjen e bagëtisë, ritualin fetar për Kurban Bajram.
Në Afganistan, normalisht ka një nxitim për blerje të kafshëve para festës së Kurban Bajramit. Por këtë vit, rritja botërore e çmimeve të ushqimit dhe shkatërrimi ekonomik pas marrjes së pushtetit nga Talibanët e kanë bërë ritualin e therjes së kurbanit, të pamundshëm për shumë afganë.
Në Ukrainën lindore, dhjetëra myslimanë ukrainas u mblodhën më 9 korrik për të kremtuar Kurban Bajramin në xhaminë në Kostiantynivka, xhamia e fundit operacionale e mbetur në territorin e kontrolluar nga ukrainasit në Donbas.
Vetëm pak banorë vendas ishin të pranishëm, pasi lufta ka detyruar shumë të ikin në rajonet perëndimore të vendit. /REL/