Site icon Telegrafi

Feronikeli fiton derbin e tensionuar ndaj Drenicës

Feronikeli ka fituar në udhëtim te Drenica me rezultat 2-1.

Kampioni i Kosovës ka shënuar një fitore shumë të vështirë në udhëtim te skuadra e Drenicës, pasi më parë ishin në disavantazh.

Luhej minuta e 19-të e takimit, kur Taulant Dajaku ka kaluar në epërsi Drenicën, me një super-gol, duke mos i dhënë mundësi Nezirit të intervenojë.

Pas këtij goli kishte edhe disa raste të tjera për shënim, por goli erdhi vetëm 20- minuta më vonë.

Ishte minuta e 39-të, kur Feronikeli ka barazuar rezultatin, ku pas një pasimi nga Mentor Zhdrella, ishte Mevlan Zeka, i cili realizoi nga afërsia për 1-1.

Dy minuta më vonë, gjyqtari kryesor largoi dy lojëtarë nga loja me kartonë të kuq, Blerand Kurtishajn e Feronikelit dhe Azem Bejtën e Drenicës, pasi më parë këta të dy u kacafytën mes vete pas një dueli.

Pjesa e dytë nisi me dominimin e mysafirëve nga Drenasi, të cilët provuan në minutën e 49-të të gjejnë golin me Mentor Zhdrellën, por goditjen e tij me kokë e priti portieri vendas.

Luhej minuta e 62-të e takimit, kur Behar Maliqi shënoi me kokë pas një harkimi nga Mentor Zhdrella, për epërsinë e parë në këtë takim të Feronikelit për 2-1.

Deri në fund të takimit skuadra e Afrim Tovërlanit pati edhe disa raste të mira, por nuk arritën të konkretizojnë duke rrezikuar kështu fitoren në fund.

Megjithatë, futbollistët e Feronikelit u mbajtën edhe pas largimit të Mendurim Hotit me të kuq në minutën e 80-të, pas një simulimi në zonë dhe kështu në fund arkëtuan një fitore shumë të rëndësishme. /Telegrafi/

Exit mobile version