Ferizaj ka shënuar një fitore të madhe para adhuruesve të vet ndaj Trepçës ’89 me rezultat 4-0.
Në fakt në fillim të ndeshjes ishin mysafirët që rrezikuan, ku Leart Emini goditi shtyllën.
Ishte minuta e gjashtë e ndeshjes kur vendasit fituan penallti, të cilën në gol e shëndrroi kapiteni Taulant Dajaku për 1-0.
Mysafirët shënuan me Arb Manajn në minutën e 42-të, por që goli i tij u anulua për pozitë jashtë loje.
Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë nisi edhe më mirë për bardhekaltërtit që gjetën edhe golin e dytë në minutën e 51-të.
Mesfushori Taulant Dajaku realizoi një gol të bukur nga distanca për ta sjell një tjetër gëzim në shkallët e stadiumit.
Në minutën e 66-të vendasit shënuan edhe golin e tretë, gol i nokautit për mysafirët.
Edon Sadriu pasi kaloi edhe portierin mysafir realizoi për 3-0.
E në minutën e 88-të vendasit realizuan edhe golin e katërt, ku autor ishte rezervisti Nermin Hajdarevic.
Me këto tri pikë, Ferizaj ndodhet në pozitën e 10-të me 25 pikë, një më pak se 89-shi që është në pozitën e tetë. /Telegrafi/