Sulmuesi i Interit, Edin Dzeko, pritet të startojë në finalen e Ligës së Kampionëve, mirëpo kjo mund të jetë ndeshja e tij e fundit për Nerazzurrët, pasi raportohet se Fenerbahce ka bërë ofertë.
Futbollisti boshnjak pritet të jetë rreziku kryesor për ish-skuadrën e tij, Manchester City, në Ataturk Stadium të Stambollit të shtunën mbrëma (10 qershor).
Kontrata e tij me klubin italian skadon më 30 qershor, ndërsa deri më tani nuk ka marrëveshje për rinovimin e saj.
Përkundër moshës, performancat e 37-vjeçarit kanë tërhequr edhe interesimin e klubeve jashtë Serie A.
Sipas La Repubblica, Fenerbahce i ka ofruar Dzekos kontratë dyvjeçare me pagë vjetore neto prej katër milionë eurosh – kushte shumë më të mira, në krahasim me ato që pritet t’ia ofrojë Interi.
Gjërat pritet të qartësohen pas finales së Stambollit, kur sulmuesi mund ta rinovojë kontratën me klubin e tanishëm, apo të nisë negociatat me klubet tjera të interesuara. /Telegrafi/