Në një intervistë të dhënë së fundmi, ish-ylli i Arsenalit, Cesc Fabregas, ka thënë se Kai Havert i kujton atij veten për shkak të aftësive për të mbuluar disa pozicione tek Arsenali.
“Nuk më pëlqen shumë të flas për veten time por ai më kujton pak mua veten kur isha tek Barcelona, sepse dikur luaja në dy pozicionet që ai luan, si një ‘nëntë fals’, dhe në një mënyrë si një numër tetë, andaj e di saktësisht se si ndihet ai”, ka thënë fillimisht Fabregas.
“Është e mirë sepse ai tani po ndihet një lojtar i rëndësishëm për ekipin, por në të njëjtën kohë, ju nuk e dini se si do të luani ndeshjen e ardhshme. Mund t’iu hutojë juve, pasi ndonjëherë është më mirë të luani vetëm në një pozitë, dhe të fokusoheni të dhuroni më të mirën nga vetja”, është shprehur spanjolli.
“Por tani Partey është rikthyer, që është një lajm i mrekullueshëm për Arsenalin, pastaj Rice do të luajë më shumë si një numër tetë dhe Odegaard”.
“Kështu që mendoj se nga tani atij do t’i besohet pozita numër nëntë e cila i përshtatet mirë atij dhe mënyrës se si Arsenali dëshiron të luajë”, përfundoi ai.
Havertz ishte nënshkruar si një zëvendësues i Granit Xhakës në mesfushë, sidoqoftë gjermani ka shkëlqyer në sulm, duke kontribuar me 11 gola dhe pesë asistime në 33 ndeshje të Ligës Premier./Telegrafi/