Site icon Telegrafi

Escobar në Prishtinë: Nga takimi në Ohër pres lajme të mira

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar tha se pret takime produktive të shtunën në Ohër në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Escobar në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani tha se pret që pas të shtunës të ketë lajme të mira.

“Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër”, tha Escobar, raporton Telegrafi.

Ai tha më tej se kanë për qëllim që të mbështesin çdo rezultat që sjell paqe më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën, Serbinë e rajonin që të bëhen anëtare të plota të komunitetit euro-atlantik.

Lexo po ashtu ​Osmani: Kosova shkon në Ohër me shpresë për rezultate pozitive

“Ky propozim evropian është një mundësi e jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.

Si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonin.

Prandaj, mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira…”, tha i dërguari i SHBA-së. /Telegrafi/

Exit mobile version