Site icon Telegrafi

Erërat e forta, mbi 20 dëme në Prishtinë – diku është vënë në rrezik edhe jeta e njerëzve (Foto)

Rreth 21 raste të dëmeve janë evidentuar vetëm në Prishtinë për shkak të erërave të forta sot në mesditë.

Në Qendrën Emergjente në Prishtinë është raportuar se nga erërat e forta është hequr një çati e një shtëpie në lagjen Kolovicë, ndërsa raste të tjera janë drunjtë të rrëzuar, xhama të thyer etj.

Këtë e ka konfirmuar Besim Rama nga Qendra Emergjente në Prishtinë.

Në lagjen Dardania, në rrugën “Luan Haradinaj” dhe në kampusin universitar në Prishtinë, janë rrezikuar jetë njerëzish pasi nga era e fuqishme janë rrëzuar disa drunj.

Për këtë mot të ndryshueshëm ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka lutur qytetarët që të qëndrojnë në hapësira të mbyllura.

“Për shkak të erërave të forta në Prishtinë lusim qytetarët të qëndrojnë në hapësira të mbyllura sa më shumë dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në ambiente të hapura. Për çdo emergjencë lajmërohuni në 080012233 ose 080012244”, ka shkruar kryetari Ahmeti në Facebook.

Ndërkohë, eksperti Tahir Ahmeti ka shkruar se erërat e forta që kanë filluar sot parashihen të vazhdojnë edhe ditët në vijim në vendin tonë.

Exit mobile version