Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi sot se Jerusalemi “nuk ishte për t’u shitur”, duke iu referuar planit të paqes për Lindjen e Mesme, të prezantuar të martën nga homologu amerikan, Donald Trump.
“Ata flasin për marrëveshjen e shekullit? Cila marrëveshje? Ky është një projekt për pushtim”, deklaroi Erdogan.
“Jerusalemi është linja jonë e kuqe. Jerusalemi nuk është për t’u shitur”, shtoi ai.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu cilësoi si “marrëveshjen e shekullit” planin e Donald Trump gjatë një takimi në Moskë me presidentin rus, Vladimir Poutin.
Erdogan, mbështetës i madh i kauzës palestineze, theksoi dje se ky plan, që e prezanton Jerusalemin si kryeqytet të pandarë të Izraelit, ishte absolutisht i papranueshëm.
Jerusalemi është një pikë fërkimi në marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, tashmë shumë të tendosura për shumë çështje ndërkombëtare./ATSH/