Fitorja e Recep Tayyip Erdoganit ende nuk është konfirmuar, por kjo nuk e ka penguar një lider botëror që t’i urojë atij.
Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, shkroi në Twitter: “Vëllai im i dashur Rexhep Tajip Erdogan, urime për fitoren tuaj dhe ju uroj suksese në mandatin tuaj të ri dhe që të arrini në të atë që populli vëlla turk synon në kushtet e progresit dhe prosperitetit dhe për marrëdhëniet e forta të dy vendeve tona për zhvillim dhe rritje të mëtejshme”.
Siç kujtojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Katari është një mbështetës i madh financiar i Turqisë dhe ka depozituar shumë valutë të fortë në bankën qendrore turke për të mbështetur ekonominë.
Ndonëse nuk janë rezultate zyrtare, presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan duket se do të jetë presidenti i Turqisë edhe për një mandat.
Kjo mund të thuhet së paku nga rezultatet e publikuara nga mediat në Turqi, sipas të cilave, Erdogan ka një përparësi në raport me kundërkandidatin e tij në zgjedhjet e balotazhit për president të Turqisë.
Gjatë ditës së diel në Turqi është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku qytetarët e këtij vendi – me votën e tyre – kanë vendosur se kush do ta drejtojë vendin në pesë vitet e ardhshme.
Raundi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 14 maj dhe duke qenë se asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave, dy kandidatët kryesorë, presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan dhe kandidati kryesor i opozitës Kemal Kiliçdaroglu, u desh të përballen sot në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Në raundin e parë të zgjedhjeve Recep Tayyip Erdogan fitoi më shumë vota (49,52 për qind), i ndjekur nga Kemal Kiliçdaroglu që fitoi 44,88 për qind të votave.
Në vendin e tretë ishte Sinan Ogan me 5.17 për qind të votave dhe menjëherë pas zgjedhjeve, Erdogan mori mbështetjen e Sinan Oganit. /Telegrafi/