Enzo Fernandez nuk do të largohet nga Benfica në mes të sezonit dhe pse mesfushori argjentinas që u shpall lojtari i ri më i mirë në Botërorin e Katarit, po kërkohet me ngulm nga Chelsea prej ditësh.
Media të ndryshme raportojnë se klubi anglez ka ofruar 127 milionë euro për 21-vjeçarin, por karriera e tij do të vazhdojë në Portugali, të paktën deri në fund të sezonit.
Fernandez shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të Benficas ndaj Varzim në Kupën e Portugalisë, ku pas golit ai bëri paqe me tifozët.
“Do të qëndroj këtu”, dallohej në gjestet e mesfushorit i cili dha një mesazh të qartë për mbështetësit e “Shqiponjave të Lisbonës”.
Rreth situatës së tij foli edhe trajneri Roger Schmidt, duke i dhënë fund çdo dileme.
“Enzo është futbollist i yni, pres që të vazhdojë të qëndrojë me ne. Telenovela rreth tij ka mbaruar, nuk ka çfarë të thuhet më, ky është një diskutim i mbyllur”.
“Nuk kam dyshuar kurrë në qëndrimin dhe personalitetin e Enzos. Ai është një djalë fantastik, është pjesë e Benficas dhe e adhuron faktin që luan me Benfican”, u shpreh trajneri gjerman. /Telegrafi/