Ekspertët në Sllovaki kanë kritikuar masat paraprake të sigurisë për kryeministrin e vendit, Robert Fico, pas atentatit ndaj tij.
“Vetë Fico foli disa javë më parë për rrezikun që të qëllohej një politikan”, tha ish-shefi i policisë sllovake, Stefan Hamran.
“Ai e pyeti veten në lidhje me këtë dhe i vlerësoi kërcënimet që i kanosen”, shtoi Hamran.
Hamran kritikoi edhe reagimin e punonjësve të sigurisë pas të shtënave, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
“Kishte kaos atje, kjo është e qartë që është dështim”.
Bëhet e ditur se truprojat e kryeministrit u kritikuan edhe nga ish-kreu i njësisë sllovake të sigurisë personale, Juraj Zabojnik.
“Nëse mund të shkrepen katër ose pesë plumba, dikush është fajtor”, tha Zabojnik.
Gjithashtu, ai u shpreh se nuk kishte parë asnjë nga truprojat të qëndronte përballë kreut të qeverisë gjatë atentatit.
Ndryshe, Fico u plagos jashtë një qendre kulturore në qytetin Handlova, rreth 135 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava, ku kryeministri 59-vjeçar po takonte mbështetësit pas një mbledhje të qeverisë. /Telegrafi/