Më në fund do të ketë ndeshje të Përfaqësueses së Kosovës në stadiumin ‘Adem Jashari’.
Tifozët kosovarë do të kenë rastin t’i shohin futbollistët e Përfaqësueses sonë për herë të parë pas pranimit në UEFA dhe FIFA duke luajtur në vendlindjen e tyre.
Burime të Telegrafit brenda Federatës së Futbollit ë Kosovës, bëjnë me dije se ndeshja e radhës do të zhvillohet në Kosovë.
Kundërshtari i radhës i Kosovës do të jetë nga Evropa dhe është Kombëtarja e Letonisë.
Letonia ka grumbulluar katër pikë pas nëntë ndeshjeve në eliminatoret e kampionatit botëror në Grupin B.
Grumbullimi i Përfaqësueses së Kosovës do të bëhet nga 6 nëntori, ndërsa data e saktë e zhvillimit të kësaj sfide nuk është bërë e ditur.
“Kemi arritur marrëveshje që ndeshja miqësore mes Kosovës dhe Letonisë do të zhvillohet në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë”, ka thënë shkurtimisht burimi i Telegrafit brenda FFK-së.
Në ndeshjen e fundit Letonia barazoi në udhëtim 0-0 me Ishujt Faroe.
Pikërisht ndaj Ishujve Faroe, 18 muaj më parë Kosova e zhvilloi miqësoren e fundit ku triumfoi 2-0 në Frankfurt.
Letonia ndodhet aktualisht në pozitën e 148-të në ranglistën e FIFA-së, ndërsa futbollisti me vlerën më të madhe tek ta është Davis Ikaunieks me 700 mijë euro.
E gjithë kombëtarja kuq e bardh ka një vlerë realisht të vogël prej 5 milionë e gjysmë, ndërsa Kosova vlerësohet mbi 22 milionë.
Kjo ndeshje do të jetë një rast i mirë për ta përshëndetur Albert Bunjakun nga detyra e tij i cili ka paralajmëruar largimin nga Përfaqësuesja jonë.
Gjithsesi, shpresojmë që stadiumi ‘Adem Jashari’ të mbushet me tifozë pasi në dy ndeshjet e fundit në Shkodër, ndaj Finlandës dhe Ukrainës nuk ishin më shumë se 1500 tifozë të pranishëm.
Në këtë ndeshje miqësore do të kenë rastin të debutojnë edhe disa futbollistë që ende nuk kanë luajtur me Kosovën në ndeshjet eliminatore. /Telegrafi/