Site icon Telegrafi

Edhe pse prokuroria nisi hetimet për rastin e pacientit të operuar nga zemra në QKUK, trupi nuk dërgohet në IML

Trupi i pacientit i cili vdiq në Klinikën e Kardiokirurgjisë pas konstatimit nga mjeku se operacioni ndaj tij përfundoi me sukses, është tërhequr nga familjarët e tij për ceremoni të varrimit duke mos u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Kështu bëjnë të ditura burimet e Telegrafit, të cilat thonë se nëse prokuroria kërkon që t’i bëhet obduksioni atëherë mund edhe të bëhet zhvarrimi i trupit për t’u dërguar në IML.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin i cili vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni të rrallë në zemër.

Ky vendim erdhi pasi për këtë rast u akuzua mjeku kujdestar, Kushtrim Shala, i cili kreu operimin e pacientit, nga drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Ndryshe, kirurgu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala, e kishte shpërndarë një operacion si të suksesshëm në rrjetet sociale, por në fakt pacienti ka ndërruar jetë disa orë pas intervenimit.

Të mërkurën, Shala e ka paraqitur si sukses operacionin “David” të një pacienti me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj.

Siç ka thënë vetë ai në postimin e tij në Facebook, ky është nga operacionet e rralla që kryhet kryesisht në qendra të mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës.

Por, në fakt, operacioni nuk ka pasur sukses, pasi pacienti ka vdekur pas disa orësh.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, ka thënë se Shala ka kryer një operacion për të cilin është dashur përvoja të cilën nuk e ka pasur.

Ai për Telegrafin tha se ka kërkuar që ky rast të hetohet, ndërsa ka deklaruar se në koordinim me drejtorinë e ShSKUK-së do të merren masat e nevojshme.

E, ndaj deklarimeve të drejtorit Brahimaj ka reaguar kardiokirurgu Shala, përmes një postimi në Facebook, duke thënë se “Rifat Brahimaj, pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje  të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë ta bëjë në cilësinë e u.d. drejtorit)  thërret mediat dhe u flet për operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor”.

Ndërsa, kardiologu Gani Bajraktari, i ka dalë në mbrojtje kirurgut të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala, për të cilin pati reagime pas vdekjes së pacientit disa orë pas operimit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version