Site icon Telegrafi

E mërkura ditë zie shtetërore në Kosovë për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ka marrë vendim të mërkurën, me 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombas tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Zyra e Presidentes.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, për humbjen e jetëve të dhjetëra qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në aksidentin tragjik në mëngjesin e sotëm në Bullgari.

Lexo po ashtu Aksident tragjik në Bullgari, së paku 46 të vdekur

Gërvalla ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për çdo gjë të nevojshme.

Autoritetet bullgare raportojnë se të paktën 45 veta humbën jetën kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.

Lexo po ashtu Gërvalla i dërgon telegram ngushëllimi homologut nga Maqedonia e Veriut për viktimat e aksidentit në Bullgari

Autobusi, me targa të Maqedonisë së Veriut, me udhëtarë që po ktheheshin nga Turqia, u dogj rreth orës 02:00 dhe në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë, thanë autoritetet, sipas të cilëve, shtatë persona u dërguan në spital për trajtim.

Shkaku i aksidentit nuk ishte menjëherë i qartë dhe autoritetet thanë se kanë nisur një hetim. /Telegrafi/

Exit mobile version