Site icon Telegrafi

A e dini pse duhet t’i lani bananet dhe shalqirin para se t’i qëroni

(Foto: Pexels)

Për shumicën prej nesh është e pamendueshme që të mos i lajmë frutat, lëvozhgat e të cilave i hamë më së shumti, por ajo që dihet më pak është se edhe frutat, lëvozhgat e të cilave nuk i hamë, si bananet dhe shalqinjtë, duhet të lahen para se t’i qërojmë.

Ekspertët e sigurisë ushqimore thonë se duhet të lahen edhe frutat me lëkurë më të trashë. Tamika Sims, drejtoreshë e Këshillit Ndërkombëtar të Informacionit për Ushqimin, ka thënë për HuffPost se edhe bananet dhe frutat me lëvozhgë që nuk i hamë, duhet të lahen nën ujë të pastër.

“Kjo është një praktikë më e mirë në trajtimin e sigurt të ushqimit për të minimizuar transferimin në brendësi të papastërtive ose mikrobeve që mund të jenë në lëkurë të frutave që keni ndërmend t’i konsumoni”, ka sqaruar ajo.

Lexo po ashtu Si t’i pastroni dredhëzat për të shmangur hepatitin A

Gjegjësisht, papastërtia mund të jetë e dukshme në lëkurë, mirëpo pesticidet ose mikrobet, si salmonela nuk shihen. Kjo është arsyeja pse Sims thotë se të gjitha ushqimet duhet të lahen para konsumimit.

Lëvoret e bananes dhe produktet tjera me një shtresë të trashë janë po aq të ndjeshme ndaj baktereve sa frutat dhe perimet më të buta me lëkurë më delikate. Për shembull, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka zbuluar listerinë dhe salmonelën në lëkurën e avokados.

Edhe pse është më e vështirë që bakteret të arrijnë brenda, në momentin që prisni frutin me thikë mund ta kontaminoni pjesën e ngrënshme. Për këtë arsye është e nevojshme larja e çdo lloj fruti para konsumimit, sepse në këtë mënyrë zvogëlohet rreziku i infektimit. /Telegrafi/

Exit mobile version