Mongolia po ngrin gjatë dimrit të saj më të ashpër në gjysmë shekulli me kushte ekstreme të cilat kanë vrarë më shumë se 4.7 milionë kafshë dhe duke kërcënuar jetesën dhe furnizimin me ushqim të mijëra njerëzve, ka paralajmëruar Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kushtet e rënda, të njohura si “dzud”, karakterizohen nga temperaturat në rënie dhe bora e madhe dhe akulli që mbulojnë zonat e kullotave dhe ndërpresin qasjen në ushqim për bagëtinë.
Rreth 300,000 njerëz në Mongoli janë barinj tradicionalë nomadë dhe varen nga bagëtia, dhitë dhe kuajt e tyre për ushqim dhe për t’i shitur në treg.
“Për ata njerëz që varen plotësisht nga bagëtia e tyre për të mbijetuar, ata janë bërë të varfër në vetëm pak muaj”, ka theksuar Alexander Matheou, Drejtor Rajonal i FNKK për Azi-Paqësor, për CNN të enjten.
“Disa prej tyre tani nuk janë më në gjendje të ushqehen ose të ngrohin shtëpitë e tyre”.
Që nga nëntori, të paktën 2,250 familje barinjsh kanë humbur më shumë se 70% të bagëtive të tyre, sipas FNKK. Ndërkohë më shumë se 7,000 familje tani nuk kanë qasje në ushqimin e duhur.
“Dzud” ka prekur tre të katërtat e vendit, por kushtet pritet të përkeqësohen ndërsa dimri vazhdon. /Telegrafi/