Site icon Telegrafi

Dy oficerë palestinezë të sigurisë të vrarë nga njësia izraelite në Bregun Perëndimor

Dy oficerë palestinezë të sigurisë u qëlluan për vdekje nga anëtarët e një njësie të forcave speciale izraelite në qytetin e Jenin të Bregut Perëndimor gjatë një sulmi herët të enjten, sipas burimeve palestineze.

Siç shkruan DPA, agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se dy viktimat ishin anëtarë të shërbimit të inteligjencës ushtarake.

Një person i tretë u vra gjithashtu, sipas burimeve palestineze.

Fillimisht nuk kishte asnjë reagim zyrtar nga pala izraelite.

Burimet izraelite të sigurisë thanë se njësia speciale ishte në Jenin për të arrestuar dy luftëtarë të organizatës militante palestineze Islamic Jihad, të cilët dyshoheshin se kishin kontribuar në sulmet ndaj ushtarëve izraelitë në muajt e fundit.

Burimet izraelite shtuan se gjatë një beteje me armë, një prej të dyshuarve u qëllua dhe një tjetër u plagos.

Ndërkohë që burimet palestineze thanë se forcat e fshehta izraelite kishin hyrë në Jenin për një bastisje dhe kishin qëlluar në drejtim të një automjeti që mbante anëtarë të dyshuar të Islamic Jihad pranë një ndërtese të shërbimit inteligjent Palestinez.

Forcat e sigurisë palestineze filluan të hapnin zjarr ndaj forcave izraelite, të cilët kthyen zjarrin.

Përveç dy oficerëve palestinezë të sigurisë, një nga banorët e automjetit u vra dhe një tjetër u arrestua, thanë burimet palestineze.

Ushtria izraelite zakonisht koordinon operacionet në qytetet palestineze me forcat lokale të sigurisë; është e paqartë pse ndodhi këtë herë aksidenti fatal.

Një zëdhënës i Presidentit Palestinez Mahmoud Abbas paralajmëroi kundër përshkallëzimit të situatës dhe tha se qeveria izraelite ishte përgjegjëse për çdo pasojë. /Telegrafi/

Exit mobile version