Site icon Telegrafi

Drilon Hazrollaj, tashmë Superliga e Kosovës ka një yll të ri

10-shi i Malishevës, Drilon Hazrollaj, e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Superligën e Kosovës, duke dhënë shenjat e para se ai do të jetë ylli i këtij sezoni.

Mund të luajë në disa pozita të sulmit, ka driblim të jashtëzakonshëm, shpejtësi, por edhe saktësi para portës, të gjitha cilësitë që i duhen një lojtari për të qenë yll i sezonit.

Ai ishte prej më të mirëve në fitoren e Malishevës si mysafir të Dukagjinit (1-0), pasi shpesh ishte enigmë e pazgjidhur për mbrojtësit e Armend Dallkut.

Por shpërthimi erdhi në xhiron e dytë, ku Malisheva në cilësinë e vendasit fitoi bindshëm ndaj Fushë Kosovës me rezultat 6-1.

Edhe pse Superliga e Kosovës ka emrat e konfirmuar këtë sezon si Nazmi Gripshi, Meriton Korenica, Rron Broja, Muharrem Jashari, Lindon Emërllahun, Ilir Krasniqin e të tjerë, në mesin e tyre, do të jetë edhe Drilon Hazrollaj, që karrierën e kishte nisur te Ramiz Sadiku.

19 vjeçari arriti të shënojë het-trik dhe të asistojë një herë, duke i dhënë Malishevës fitoren e dytë në elitë në po aq ndeshje.

Lexo po ashtu Malisheva nëpërkëmbë Fushë Kosovën, Drilon Hazrollaj me het-trik

Pra do të jetë një emër që do ta dëgjojmë shpesh në komentime, por edhe në studiot televizive.

Hazrollaj debutoi në Superligën e Kosovës sezonin e shkuar, duke zhvilluar 21 ndeshje dhe duke shënuar shtatë gola dhe duke dhuruar pesë asistime.

Dallimi i sezonit të shkuar me sezonin aktual pritet të jetë i madh, pasi djaloshi i lindur në Banjë të Malishevës, do të jetë lider te skuadra e tij dhe shifrat e vitit të shkuar mund të dyfishohen këtë edicion.

Po duket e ditur që afati kalimtar është i hapur deri më 31 gusht, brenda këtyre dhjetë ditëve të fundit, ndonjë ofertë mund të troketë në dyert e Malishevës dhe largimi i tij nuk do të ishte befasi.

Lexo po ashtu Ueb faqja e specializuar për talente e fut në mesin e më të mirëve për tu vëzhguar edhe Drilon Hazroollajn e Malishevës

Nëse ndodh që ai të largohet jashtë vendit, do të ishte mirë për karrierën e tij, pasi do të jetë plot sukses, ndërsa nëse qëndron, tifozët e futbollit tonë do ta kenë mundësinë që këtë vit t’i shijojnë magjitë e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version