Site icon Telegrafi

Drejtori i RTK-së, Gërvalla: RTK nuk e ka censuruar Kuvendin

Drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla i ka hedhur poshtë akuzat e deputetëve të opozitës se transmetuesi publik ka censuruar seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Në një deklaratë për RTKlive, Gërvalla ka thënë se seanca e Kuvendit është transmetuar e plotë.

“RTK nuk e ka censuruar Kuvendin, asnjë fjalim të vetëm. Kuvendi është transmetuar në kanalin e tretë të RTK-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se seanca nuk është transmetuar në kanalin e parë, pasi qysh javë më parë ka qenë i planifikuar transmetimi i 25-vjetorit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, aktivitet ky i cili është mbajtur sot dhe vazhdon edhe nesër.

“Në mesin e folësve aty janë edhe të mbijetuarat e dhunës seksuale që i ka kryer Serbia në Kosovë. Do të flasin nobilistë të paqes dhe kanë qenë edhe krerët e shtetit. Ne i kemi tri kanale në gjuhën shqipe, por nuk kemi kanal të dedikuar për Kuvendin. Prandaj akuzat e tilla, në një kohë kur fliste një e mbijetuar e dhunës seksuale, e deputetët të mbajnë një konferencë ose protestë ndaj RTK-së që se ka transmetuar Kuvendin në kanalin 1, mendoj se nuk janë gjeste të pjekura as politike”, ka theksuar Gërvalla.

Në seancën e sotme të Kuvendit u diskutua mbi borxhet e kompanive ambalazhuese të ujit si dhe publikimet e mesazheve të fundit që pretendohet të jenë bisedat ndërmjet koordinatores së komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Krahas transmetimit në vazhdimësi në RTK 3, seanca e Kuvendit është transmetuar “live” edhe në faqen zyrtare të RTK-së në Facebook.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ndërprerë seancën e jashtëzakonshme pasi, sipas tyre, Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK) ndërpreu transmetimin e kësaj seance e cila ishte thirrur nga opozita për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Deputetët e opozitës shkuan që të protestojnë para objektit të RTK-së, si dhe të dërgonin transkriptet e fjalimeve të tyre, por, atyre nuk u është lejuar hyrja në objekt. /Telegrafi/

Exit mobile version