Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar sot një aksion simbolik pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, me rastin e zhvillimit të seancës së parë gjyqësore ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, dy të akuzuarit për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.
Në njoftimin për media, nga ky grup i aktivistëve thonë se duan t’i rikujtojnë gjykatës se “ne nuk do të lejojmë që Marigona të shndërrohet në thjesht një lëndë tjetër e cila lëngon në raftet e sistemit gjyqësor patriarkalo-paternalist për të gjetur padrejtësinë”.
“Marigona nuk mund të vritet për s’dytsh. Ne nuk do ta lejojmë. Vrasja e Marigonës na është shndërruar në makth e ky makth duhet ta përndjekë çdo institucion, bashkëfajtorë në vrasjen e saj deri në arritjen e drejtësisë për të post-mortum”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje thuhet se vrasja e Marigonës me 22 gusht 2021 ka qenë e parandalueshme, “e paraprirë nga përdhunimi i disafishtë dhe dhuna fizike e psikike e ushtruar me orë të tëra nga Dardan Krivaqa”.
“Vrasja e saj tregon për dështimin e çdo hallke shoqërore e shtetërore për t´i mbrojtur vajzat dhe gratë dhe e bënë dhe më të dukshëm sistemin vrastar patriarkal në të cilën jetojmë ne si vajza e gra. Trajtimi mizor i Marigonës, i detajuar në aktakuzë nuk është një rast i izoluar por është tmerri dhe frika e çdo vajze e gruaje e cila sot jeton në Kosovë”.
“I pandehuri Dardan Krivaça, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”, thuhet në aktakuzën ndaj Krivaqës dhe Sejdiut.
“Ne sot e përsërisim që ne nuk harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë. Asnjërës nga ne nuk na lejohet ta harrojmë Marigonën e gratë tjera të vrara. Ne nuk mund ta braktisim as për së gjalli, as për së vdekuri njëra-tjetrën. Ne do vazhdojmë të luftojmë për vete e për njëra-tjetrën. Do e mbrojmë vetën e njëra-tjetrën, deri në fitimin e lirisë e drejtësisë për të”. /Telegrafi/