Site icon Telegrafi

Dorëzimi i mbetjeve mortore të tre personave te autoritetet serbe, EULEX: Ishim së bashku me përfaqësuesit e IML-së

Misioni i EULEX-it në Kosovë, ka njoftuar se dje bashkë me përfaqësuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore në pikën kufitare në Merdar kanë dorëzuar mbetjet mortore të tre personave që u identifikuan ditë më parë.

EULEX ka thënë se mbetjet mortore të një personi i janë dorëzuar familjes, ndërsa të dy të tjerëve u janë dorëzuar autoriteteve serbe.

“Mbetjet mortore të njërit prej tyre, një person i zhdukur, iu dorëzuan familjes, ndërsa mbetjet mortore të dy të tjerëve iu dorëzuan autoriteteve serbe, të cilët i morën ato në emër të familjeve”, thuhet në njoftim.

EULEX thekson se mbeten të përkushtuar që të mbështesin IML-në në mënyrë që familjarët të mësojnë të vërtetën.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur kolegët tanë lokalë në IML dhe institucionet e tjera përkatëse të Kosovës duke ofruar ekspertizë dhe këshilla mjeko-ligjore në kryerjen e punës komplekse të identifikimit të të gjitha mbetjeve njerëzore në morgun e IML-së, në mënyrë që anëtarët e familjeve të realizojnë të drejtën e tyre për të ditur të vërtetën”, ka njoftuar ELUEX.

Ditor Haliti, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka thënë dje se mbetjet e trupave që janë dorëzuar  janë mbajtur në Institut që nga paslufta, por ka pasur probleme për identifikimin e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version