Ky sezon nuk ishte i lehtë për Manchester Cityn sa i takon Ligës Premie, por në fund të besuarit e trajnerit Pep Guardiola nuk u dorëzuan përballë Arsenalit dhe arritën të triumfonin edhe pse ishin tetë pikë prapa.
Në fund Man City arriti përmbysjen e madhe dhe të shtunën festuan titullin e tretë radhazi dhe të pestin në gjashtë vitet e fundit.
Një arritje e madhe kjo edhe për trajnerin katalanas që konfirmohet si një nga më të mirët në profesionin e tij, për të mos thënë më i miri.
Në fakt të gjitha statistikat janë në anën e tij dhe nëse kthen kokën pas, shihet se Guardiola ka fituar 11 nga 14 kampionatet e fundit, kur ai ka qenë në detyrë.
Duke nisur nga Barcelona, Bayern Munich dhe tani Man City, 52-vjeçarin e kanë mundur vetëm tre kolegë.
Kështu, në sezonin 2011/2012 teksa ishte në drejtimin e Barcelonës, Guardiola e humbi kampionatin përballë Real Madridit të Jose Mourinhos.
Ndërkohë, dy disfatat e tjera janë në Angli pasi me Bayern Munichun nuk mundi ta ndalte askush.
Nën drejtimin e Manchester Cityt, sa i takon Ligës Premier, Guardiola është mposhtur vetëm nga Chelsea i Antonio Contes në sezonin 2016/2017 dhe nga Liverpooli i Jurgen Klopp në sezonin 2019/2020. /Telegrafi/