Djali i sh-kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas iu përmend Terminali Doganor nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Besnik Mustafa, ka ftuar Qeverinë Kurti që ta konfiskojë terminalin ose ta mbyllë.
Sipas tij, për terminalin në fjalë, Qeveria do të ketë punë me shtetin slloven dhe jo me familjen e tij, sepse thotë se nuk është e tyre.
“Sot, si djem të Isa Mustafës, u akuzuam dhe u shantazhuam nga mediat e LVV-së, -parti në pushtet për Terminal Doganor. Kompania “Intereuropa” me veprimtari themelore depo doganore publike, transport dhe shpedicion është kompani Sllovene me seli në Koper të Sllovenis.
Por pushteti, për nevoja të propagandës, kompaninë Sllovene dhe terminalin e saj e bënë të familjes tonë. E gjithë kjo për të shantazhuar dhe kërcënuar në emër të Byros së tyre politike për konfiskim.
E unë u them, urdhëroni dhe konfiskone ose mbylleni këtë kompani por do të keni punë me shtetin slloven e jo me familjen Mustafa, sepse nuk është e familjes sonë, por para se ta bëni bisedoni me shtetin Slloven. Nuk është as e LDK-së, prej së cilës frikësoheni aq shumë.
Jeni në pushtet, i keni të gjitha mundësitë për të sqaruar pronësitë e kompanive, themeluesit e tyre dhe fitimet që ato i realizojnë edhe në rastin e terminalit që na e mveshni neve, që në fakt është gënjeshtër e konstruktuar, si për pronësinë ashtu edhe për fitimet. Për gjera të tilla, shantazhim, tentime frikësimi konstruksione të rrejshme edhe bartësit e pushtetit japin llogari para ligjit”, ka thënë Mustafa.
Më herët edhe ish-kryeministri Mustafa deklaroi se kjo është një ”gënjeshtër” nga ana e partisë në pushtet./Telegrafi/