Site icon Telegrafi

Dimitrov: Shpresoj që reformat dhe arritjet e mira fqinjësore të Maqedonisë së Veriut të vlerësohen nga BE

Sot, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov realizoi takim me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Georgios Katrougalos, i cili në emër të Qeverisë greke mori pjesë në ceremoninë inauguruese të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, njofton Telegrafi Maqedoni.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar dinamikën pozitive në të cilën marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve po zhvillohet. U theksua se takimet në nivelin më të lartë (sidomos me vizitën e kryeministrit të Greqisë, Alexis Tsipras në Shkup) pasqyrojnë dëshirën për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besimin dhe partneritetin reciprok.

U bisedua gjithashtu edhe për bashkëpunimin ekonomik me një theks të veçantë në lidhje me infrastrukturën, e cila lehtëson komunikimin e përgjithshëm të qytetarëve dhe subjekteve afariste, duke përfshirë edhe dy kalimet kufitare të reja të dakorduara.

Ministri Dimitrov edhe njëherë falënderoi për mbështetjen e Greqisë që jep për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE. Ai theksoi kënaqësinë e ritmit të ratifikimit të protokollit për anëtarësim në Aleancë dhe gjithashtu shprehu shpresën se reformat dhe arritjet e mira fqinjësore të Maqedonisë së Veriut do të marrin vlerësim e duhur nga Bashkimi Evropian:

“Do të jetë një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjithë rajonin: rruga drejt BE-së është e mundur dhe varet nga rezultatet e arritura”, tha Dimitrov./Telegrafi/

Exit mobile version