Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar lidhur me dhunimin ditën e sotme ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Ky i fundit u dhunua nga tre persona teksa la djalin në kopsht, u zu në pritë nga persona të paidentifikuar të cilët e goditën me leva duke i shkaktuar çarje në kokë dhe në ballë.
Mëngjesi aktualisht është në spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën mjekësore. Dhoma e Avokatisë kërkon zbardhjen e ngjarjes, duke u shprehur se ky nuk është një rast i izoluar
‘Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar mëngjesin e ditës së sotme, ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës. Avokati është goditur disa herë në kokë me levë dhe për shkak të plagëve të marra është shtruar në spital.
Ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedentit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë, në muajin Prill të këtij viti. Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cenojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.
Bazuar sa më sipër, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i kërkon autoriteteve zyrtare të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur këtë ngjarje të rëndë.
Njëkohësisht garantojmë të gjithë avokatët në Republikën e Shqipërisë se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë do të jetë në krah të çdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.
Shprehemi besimplotë së reagimi ynë do të shërbejë si këmbanë alarmi për organet ligj zbatuese jo vetëm për këtë rast por edhe për raste të tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre.’, ka qenë reagimi i Dhomës së Avokatisë. /Telegrafi/