Site icon Telegrafi

Deti në Turqi është tërhequr më shumë se 200 metra, qytetarët frikësohen se është për shkak të një tërmeti

Pas një serie tërmetesh në Santorini, deti në Izmir dhe në shumë vende të tjera përgjatë bregut të Egjeut është tërhequr më shumë se 200 metra.

Që nga data 8 shkurt, niveli i detit është ulur gjithnjë e më shumë, ndërsa sot, në distriktin Çeşme dhe në portin Alaçatı, është tërhequr më shumë se 300 metra.

Po ashtu, niveli i ujit në distriktin Dikili dhe në Bodrum ka rënë më shumë se gjysmë metri, duke lënë pas shumë varka të bllokuara, shkruan agjencia anadolu.

Megjithëse qytetarët janë shqetësuar duke e lidhur këtë dukuri me tërmetet në Santorini, ekspertët thonë se tërheqja e ujit është shkaktuar nga era e fortë veriore dhe është një proces natyror.

Dr. Mehmet Çavusoglu, anëtar i Grupit të Punës për Mjedisin, Biodiversitetin dhe Ndryshimet Klimatike në Akademinë Turke të Shkencave (TUBA), dhe prof. dr. Dogan Yaşar, deklaruan se tërheqja e ujit ndodhi për shkak të erës së fortë veriore, e cila arrin shpejtësi deri në 60-70 kilometra në orë.

Yaşar theksoi se ky fenomen nuk ka asnjë lidhje me tërmetet në Detin Egje dhe nuk ka arsye për shqetësim. /Telegrafi/

Exit mobile version