Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje rreth aksionit policor i cili po zhvillohet në disa komuna e që ndërlidhet me rastin “Brezovica”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Doganën e Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim te përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe auto salloneve, sot, është duke e realizuar një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica””, thuhet në njoftim.
Gjatë këtij askioni janë kontrolluar dhe bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrisë dhe Lipjanit, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të i’u informoj në vazhdimësi lidhur me këtë aksion. /Telegrafi/