Shkencëtarët holandezë pohojnë se analizat e tyre janë të parat të cilat studiojnë lidhjen ndërmjet depresionit dhe mjekimit të infertilitetit (papjellorisë) së femrave.
Të dhënat e botuara në revistën Human Reproduction, kanë treguar se faktori psikik nuk ndikon me ndërprerjen e trajtimit të infertilitetit.
Për befasinë e autorëve, ndikim në pengimin e mjekimit të papjellorisë së femrave kishte pasur mosha e femrave, transmeton Telegrafi.
Me moshën ulet si sasia ashtu edhe cilësia e qelizave vezë, të cilat shpesh ndikojnë në cilësinë e embrioneve. Sipas treguesve statistikor, mundësia për të mbetur shtatzënë prej 35-40 vjet reduktohet deri në 33%, ndërsa pas moshës 40 vjeçare indeksi i fertilitetit bie deri 87%.
Në moshën mbi 44 vjet mundësia për të mbetur shtatzënë me ndihmën e IVF bie nën 2%. Rreth 90% të qelizave vezë te femrat e moshës mbi 40 vjet, në përgjithësi janë anormale.
Shkalla e aborteve në moshën mbi 40 vjet është më e madhe për 33%. Ose në mënyrë statistikore incidenca e shtatzënive anormale te femrat e moshës mbi 40 vjet është 1/38.
Po ashtu me moshën rritet edhe rreziku i malformimeve kromozome/gjenetike te trashëgimtarët, si dhe shkalla e aborteve spontane.
Edhe faktorët tjerë biologjikë të studiuar (shtatzënia e mëparshme dhe shkaktari paraprak i pengimit të shtatzënisë), po ashtu nuk kishin pasur ndikim në përqindjen e femrave të cilat kanë për qëllim që të mbesin shtatzëna. /Telegrafi/