Site icon Telegrafi

Debatohet për integritetin e institucioneve publike në Kosovë

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po mban punëtorinë dyditore për Integritetin e institucioneve publike në Kosovë, në të cilën po diskutohen sfidat dhe reformat e domosdoshme për përmirësimin e integritetit në sektorin publik.

Sipas pjesëmarrësve në këtë punëtori, barrën kryesore e ka sistemi i drejtësisë, i cili duhet të jetë më efektiv në luftën kundër korrupsionit për të krijuar ambient i cili promovon vlera të integritetit.

Pjesë e këtij diskutimi janë përfaqësues të institucioneve dhe sektorit jo-qeveritarë, përfshirë kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, përfaqësuesin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, përfaqësuesin nga Agjencia Kundër Korrupsionit, Milot Shala si dhe hulumtuesin nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu.

KDI do të bëjë vlerësim më të gjerë të integritetit në sistemin e drejtësisë dhe më pas do t’i ofrojë mbështetje profesionale Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor në krijimin e planeve të integritetit në gjyqësi dhe prokurori. /Telegrafi/

Exit mobile version