Aktori dhe regjisori amerikan, Danny Glover dhe kolegu i tij, Mel Gibson, janë në bisedime me regjisorin Richard Donner rreth vazhdimit të pestë të filmit “Lethal Weapon”.
Edhe pse shumë kohë më parë, Glover kishte thënë se është shumë i moshuar për të luajtur në atë film, ai tash si 71 vjeçar po mendon për vazhdimin e ri.
Deadline raporton se projekti i kompanisë Warner Bros Pictures mund t’i ribashkojë Gloverin dhe Gibbsonin, nën drejtimin e regjisorit Donner.
Ky do të ishte bashkëpunimi i parë i dy yjeve të Hollywoodit që nga viti 1998, kur është xhiruar “Lethal Weapon 4”.
Nëse arrihet marrëveshja, atëherë kjo do të ndodhë në 30 vjetorin e xhirimit të filmit të parë.
Në filmat e mëparshëm, polici Martin Riggs (Mel Gibson) dhe partneri i tij, Roger Murtaugh (Danny Glover), i kanë rrezikuar jetët e tyre në luftën kundër kriminelëve.
Në fillim të këtij viti kishte pasur një takim të ekipit të realizimit të vazhdimit të pestë, ndërsa Gibson la thënë se është duke menduar për këtë projekt.
Riggs dhe Murtaugh kanë qenë pjesë e serialit “Lethal Weapon”, nën portretizimin e Clayne Crawford dhe Damon Wayans. /Telegrafi/