Ballkani u mposht nga Sivasspor me rezultat 2-1, me vendasit që u përmbysën pasi kaluan të parët në avantazh, duke pranuar dy gola në kohën shtesë.
Pas ndeshjes, trajneri Ilir Daja foli në Super Sport ku theksoi se mungesat rezultuan vendimtare, ndërsa shtoi se ekipi i tij nuk ishte favorit.
“Kaluam në avantazh dhe kishim raste për të shënuar, duhet të ishim efikas në të tillë ndeshje. Kishim mungesa dhe Kuc sakrifikoi, ishte mungesa e Gripshit gjithashtu. Bëhet fjalë për lojtarë titullarë, me këta të dy ndryshonte vendosja. Kemi pasur shanse për 2-0, gol që do të godiste kundërshtarin dhe ne do të ishim të qetë. Mund të dilnim me një tjetër rezultat”.
“Lodhja ndikon sepse jemi me 12-13 vetë. Luajmë në tre apo katër ditë dhe në Evropë ka një tjetër ritëm, na duheshin më shumë lojtarë për të kryer manovrën e duhur. Kemi lojtarë të rinj që në ndeshje të tilla nuk i jep dot minuta sepse ka tension”.
“Ne nuk kemi qenë favoritë, i rritëm pritshmëritë me lojën dhe rezultatet. Në dy ndeshjet e mbetura nuk do t’i kalojmë si ndeshje radhe, por do të bëjmë lojën tonë. Me Slavian kemi një kundërshtar edhe më të fortë, ata humbën sot dhe do të jenë në maksimum në ndeshjen ndaj nesh”.
“Do të kemi dy javë për t’u marrë me kampionatin sepse është i rëndësishëm dhe pastaj do të mendojmë për Slavian duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë, sidomos ata me eksperiencë”, ka thënë Daja. /Telegrafi/