Grupi britanik, “Coldplay”, i ka emocionuar fansat gjatë interpretimit të këngës së “Linkin Park”, “Crawling”, për nder të të ndjerit Chester Bennington në një koncert në New Jersey.
“Dua të shpreh respektin tim”, ka thënë frontmeni Chris Martin dhe më pas është ulur në piano dhe ka nisur ta interpretojë këngën.
Publiku e ka përcjellë me duartrokitje dhe brohoritje performancën emotive, ndërsa në fund Martin u drejtua kah qielli, i ngriti dy gishta dhe tha: “Chester, faleminderit”.
Kujtojmë që këngëtari i “Linkin Park”, Bennington, u gjet i vdekur më 20 korrik në banesën e tij në Los Angelos, ku kishte bërë vetëvrasje me varje.
Në koncertin e “Coldplay” në New Jersey në publik ndodhej edhe themeluesi dhe kitaristi i “Linkin Park”, Mike Shinoda, i cili e falënderoi grupin për performacën. /Telegrafi/