Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen ka njoftuar se ekziston mundësia e rritjes së çmimit të gazit në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës së dimrit, kur Bashkimi Evropian do të shkurtojë ndjeshëm blerjen e naftës ruse.
Yellen tha se po shqyrtohet një propozim i vendeve perëndimore lidhur me vënien e një çmimi tavan për naftën ruse me qëllimin për të mbajtur nën kontroll çmimet.
“Ekziston rreziku, ndaj po punojmë për vënien e një çmimi tavan në përpjekje për të trajtuar situatën. Rritja e çmimit mund të shkaktohet nga ndërprerja e blerjes së naftës ruse nga Bashkimi Evropian dhe ndalimi i shërbimeve që lejojnë Rusinë që të transportojnë naftë me anije cisternë”, tha Yellen për rrjetin CNN.
Plani i çmimit tavan, për të cilin kanë rënë dakord vendet e pasura të G7-së, kërkon që vendet pjesëmarrëse të ndalojë dhënien e sigurimeve, financimet, navigimin dhe shërbime të tjera për transportet e naftës me çmim mbi atë që do të përcaktohet nga këto vende për naftën e papërpunuar dhe nënproduktet e saj.
Në fund, ajo tha se vënia e kufirit të çmimit të karburantit synon të ulë fitimet që Rusia mund t’i përdorë për të financuar luftën në Ukrainë, duke ruajtur furnizimet ruse të naftës për të mbajtur të ulëta çmimet botërore. /VoA/