Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pasi dega në Prizren e Lëvizjes Vetëvendosje po kërkon që të ketë hetime në lidhje me procesin e votimit në garën e balotazhit, pasi siç thonë ata ka pasur presione ndaj votuesve.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka thënë se është për keqardhje që LVV-ja po refuzon vullnetin e qytetarëve.
“Qytetarët e Prizrenit kanë folur, vota e tyre është numëruar, dhe rezultati si i tillë duhet pranuar. Për keqardhje që Lëvizja Vetëvendosje po e refuzon vullnetin e qytetarëve”, shkruan Çitaku.
Ndryshe, përmes një reagimi në Facebook, nga LVV në Prizren kanë njoftuar e janë në përpilim të ankesave.
“Shtabi ynë zgjedhor është në përpilim të ankesave, bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur në ditën e votimit. Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit”, thuhet në reagim.
Tutje ata shtojnë se “Vonesa e raportimit të rezultateve nga disa vendvotime, ku pjesëmarrja deri në orët e vona ka qenë shumë e ultë dhe pastaj kemi pasur një rritje të madhe të numrit të votuesve si dhe dëshmitë për nënshkrimet e votuesve të cilët nuk kanë qenë në Kosovë në ditën e votimit jep indikacione që është devijuar vullneti qytetar”.
“Kërkojmë nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve. Përfundimisht raportimet e qytetarëve për ditën e zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor, lënë hapësirë për shumë dyshime që duhet të hetohen nga organet kompetente”, thuhet në reagim. /Telegrafi/