Shenjat e diabetit tip 2 shfaqen gradualisht dhe mund të jenë të fshehura për shumë kohë. Për këtë arsye ne rekomandojmë që disa grupe të popullatës të testohen edhe nëse nuk kanë shenja.
Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722
∙ Secili person që ka indeksin e masës trupore mbi 25 (pa marrë parasysh moshën), që ka shtypje të lartë të gjakut, që ka kolesterol të rritur, bën jetë sedentare, që ka pasur sindromën e vezoreve policistike dhe nëse ka familjarë me diabet.
∙ Secili person mbi 45 vjeç këshillohet që ta bëjë testin e sheqerit në gjak dhe nëse del mirë ta përsërisë çdo 3 vjet.
∙ Gratë që kanë pasur diabet gestacional duhet të testohen për diabet çdo 3 vjet.
∙ Secili person me prediabet duhet të testohet çdo vit.
Cilat janë analizat që bëhen për diabet dhe prediabet?
Testi i hemoglobinës së glukolizuar (HbA1C). Këtë analizë mund ta bëni edhe nëse keni ngrënë ose keni pirë. Matet përqindja e sheqerit në gjak të ngjitur për hemoglobinën (që është proteina në rruazat e kuqe të gjakut e cila e bart oksigjenin).
HbA1C e tregon mesataren e sheqerit në gjak në 2-3 muajt paraprakë. Vlera baras ose mbi 6.5% në dy matje të veçanta tregon për diabet. Vlera midis 5.7 dhe 6.4% sugjeron për prediabet, kurse nën 5.7% konsiderohet normale.
Testimi rastësor i sheqerit në gjak. Merret gjaku në cilëndo orë të ditës, pa marrë parasysh kur keni ngrënë dhe vlera mbi 11.1 mmol/L sugjeron për diabet..
Glikemia esëll (dmth marrja e mostrës së gjakut në mëngjes pasi nuk keni pirë as ngrënë). Normale është vlera nën 5.6 mmol/L. Vlera midis 5.6 dhe 6.9 mmol/L quhet prediabet. Nëse glikemia është mbi 7 mmol/L në dy matje të veçanta konsiderohet diabet.
OGTT (Oral glucose tolerance test). Ky test bëhet kështu: caktohet vlera e sheqerit në gjak në mëngjes pasi që nuk keni pirë as nuk keni ngrënë. Pastaj, mjeku ju thotë që ta pini një gotë ujë me sheqer dhe ju matet sheqeri në gjak pas 1 dhe pas 2 orësh.
Te diabeti tip 1 bëhet analiza e urinës për të konfirmuar praninë e substancave të cilat lirohen kur organizmi shfrytëzon muskujt dhe yndyrat për prodhimin e energjisë. Kjo ndodhë atëherë kur insulina është e pamjaftueshme për ta shfrytëzuar sheqerin për energji.
Do t’ju rekomandohet që nëse dyshohet për diabet tip 1 t’i bëni edhe caktimin e autoantitrupave që janë qeliza imunitare që i shkatërrojnë indet që prodhojnë insulinën duke i njohur gabimisht si të huaja. /Telegrafi/