Albumi i ardhshëm i Coldplay, “Music Of The Spheres”, u frymëzua nga “Star Wars” dhe tani frontmeni i grupit, Chris Martin, ka përdorur dashurinë e tij për ekskluzivitetin shkencor për bamirësi.
Këngëtari bleu një helmetë nga aktori Forest Whitaker , i cili luajti udhëheqësin e rebelëve Saw Gerrera në filmin “Rogue One” dhe e kishte si një kujtim nga xhirimet, shkruan The Sun.
Ajo është nënshkruar nga Forest dhe disa nga bashkë-yjet e tij në “Star Wars”, si dhe shokët e grupit të Chriss, Guy Berryman, Will Champion dhe Jonny Buckland. Dhe në vend që ta mbajë atë, Chris ia ka dhuruar helmetën Emmanuel Kellyt, një refugjati dhe muzikanti nga Iraku, i cili mbeti me gjymtyrë të pazhvilluara gjatë luftës.
Emmanuel do ta nxjerrë në ankand në ngjarjen e javës së modës “This Is Icon” në Londër javën e ardhshme, e cila mbledh para për Wellchild, që siguron kujdes për fëmijët dhe të rinjtë me sëmundje të rënda.
“Chris i la të gjithë gojëhapur kur ia dorëzoi helmetën Emmanuelit në ankand, është një pjesë e paharrueshme e kujtimeve nga ‘Star Wars’. Organizatorët presin oferta të çmendura. Shpresoj se do të blihet për shumë para”, ka thënë një burim.
Chris u njoftua me muzikën e Emmanuel nga një mik i përbashkët pesë vjet më parë dhe që atëherë ai është bërë mentori i tij.
Ai ftoi Emmanuel të performojë me Coldplay dhe në fillim të këtij viti ndihmoi në prodhimin e këngës së tij, “Red Love”, nga albumi “Your Story”.
Martin ka treguar se albumi i ardhshëm i Coldplay, që do të publikohet më 15 tetor, u frymëzua nga “Star Wars”. /Telegrafi/