Ish-eprori i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës Komandant “Molla e Kuqe”, është ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.
Shala, i cili është nga Mushtishti i Suharekës, është duke u gjykuar në Gjykatën e Prizrenit nën akuzën për krime lufte të kryera.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës e ngarkon Remzi Shalën me veprën penale – privim nga liria të një civili në kohë lufte.
Fjala është për Haxhi Përteshin nga Duhla e Suharekës.
Përteshi ishte marrë në qershor të vitit 1998 nga persona me uniforma të UÇK-së.
Pak ditë më pas, Haxhi Përteshi ishte gjetur i vdekur buzë një rruge të fshatit.
Në një intervistë për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, në janar të vitit 2017, Remzi Shala kishte mohuar se kishte gisht në rrëmbimin e Haxhi Përteshit.
Mirëpo, djali i të ndjerit është shprehur i bindur se Remzi Shala ishte në mesin e personave që ia morën babanë në shtëpi ku nuk u kthye më i gjallë.
Ndiqeni më poshtë intervistën e plotë me Remzi Shalën, i cili tash do të jetë edhe objekt i Gjykatës Speciale të Hagës, të cilës ka thënë se nuk do t’i përgjigjet.